KRAPOVIQ: NJË EVROPË MË E FUQISHME ËSHTË SHTYLLË E RËNDËSISHME E SIGURISË KOLEKTIVE

Foto: Ministria e Mbrojtjes / Ministarstvo odbrane

Partneritetet e forta, besimi i ndërsjellë dhe veprimi i koordinuar janë thelbësore për përballjen me kërcënimet dhe sfidat e sotme të sigurisë, deklaroi ministri i Mbrojtjes i Malit të Zi, Dragan Krapoviq.

Ai mori pjesë në Forumin e tretë Schuman për Sigurinë dhe Mbrojtjen, të mbajtur në Bruksel, me ftesë të përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.

Krapoviq vlerësoi përpjekjet e Bashkimit Evropian për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse, duke theksuar se një Evropë më e fuqishme përbën një shtyllë të rëndësishme të sigurisë kolektive.

Ai shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin mes Malit të Zi dhe BE-së në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, duke veçuar harmonizimin e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, pjesëmarrjen në misionet dhe operacionet evropiane, si dhe bashkëpunimin përmes mekanizmave të ndryshëm të Unionit.

Sipas tij, këto angazhime dëshmojnë përkushtimin strategjik të Malit të Zi ndaj vlerave dhe politikave të Bashkimit Evropian.

SHARE