RAMA PREZANTON BUXHETIN 2027: 10 MILIARDË EURO, ULJE TAKSASH DHE RRITJE PENSIONESH

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, prezantoi në Kuvend projektbuxhetin për vitin 2027, i cili për herë të parë arrin vlerën prej 10 miliardë eurosh.

Sipas tij, buxheti synon uljen e kostos së jetesës dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

Ndër masat kryesore të paralajmëruara është ulja e TVSH-së në 6% për 54 produkte të shportës ushqimore, që sipas Ramës do t’u kursejë familjeve rreth 150 milionë euro në vit.

Kryeministri njoftoi gjithashtu heqjen e taksës së qarkullimit në karburante, me synimin për të ulur çmimin në pompa për 32 lekë për litër, ndërsa detyrimi do të zhvendoset te automjetet.

Një vëmendje e veçantë në projektbuxhet i kushtohet pensionistëve. Rama bëri të ditur se nga 1 janari do të dyfishohet rritja e pensioneve, ndërsa për këtë masë janë parashikuar rreth 200 milionë euro. Për indeksimin e pensioneve në prill do të ndahen edhe 40 milionë euro shtesë.

Projektbuxheti parasheh gjithashtu mbështetje për 10 mijë familje në nevojë përmes skemave të kreditimit të lehtësuar dhe subvencionimit të qirasë.

Ndërkohë, bursat për studentët nga familjet në nevojë do të rriten nga 10 mijë në 25 mijë lekë në muaj dhe do të përfshijnë edhe studentët e nivelit master.

Rama bëri të ditur se në projektbuxhet janë planifikuar edhe 200 miliardë lekë investime publike, të cilat, sipas tij, do të ndihmojnë në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë shqiptare.

SHARE