KAMBERI: TË GATSHËM PËR DIALOG ME PUSHTETIN E RI, POR NUK HEQIM DORË NGA KËRKESAT E SHQIPTARËVE

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, deklaroi se deputetët shqiptarë janë të gatshëm për dialog dhe bashkëpunim me autoritetet e reja serbe, por nuk do të heqin dorë nga kërkesat për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Gjatë seancës konstituive të Kuvendit, Kamberi theksoi se shqiptarët kërkojnë përfaqësim të drejtë në institucionet shtetërore, njohjen e diplomave, ndalimin e pasivizimit të adresave dhe përmirësimin e arsimit, përfshirë sigurimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.

Ai kërkoi gjithashtu zhbllokimin e fondeve për Këshillin Kombëtar Shqiptar, duke nënvizuar se e drejta për barazi nuk është e negociueshme.

Koalicioni Shqiptar, i cili fitoi dy mandate në zgjedhjet e 25 tetorit, shprehu mbështetje për kandidatin e Listës Studentore, Aleksandar Çupiq, për kryetar të Kuvendit.

Lista Studentore fitoi zgjedhjet me 140 nga 250 mandatet parlamentare, duke i dhënë fund 14 viteve të pushtetit të Partisë Përparimtare Serbe të Aleksandar Vuçiqit.

Kamberi paralajmëroi se autoritetet e reja nuk do të vlerësohen vetëm nga premtimet, por nga veprimet konkrete për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve, të cilët vazhdojnë të ankohen për diskriminim, nënpërfaqësim dhe pasivizim të adresave.

SHARE