MILLATOVIQ HAP DYERT E “PALLATIT BLU” PËR NXËNËSIT NGA TETË SHKOLLA TË MALIT TË ZI

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka pritur në Rezidencën Presidenciale në Cetinë nxënës dhe mësimdhënës nga tetë shkolla fillore të vendit, në kuadër të iniciativës për hapjen e “Pallatit Blu” për fëmijët dhe njohjen e tyre me historinë e shtetit.

Gjatë vizitës, nxënësit patën mundësi të njihen me trashëgiminë historike dhe diplomatike të Malit të Zi, si dhe me rëndësinë e Pallatit Blu, një prej objekteve më të njohura të shtetësisë malazeze.

Përmes një ekspozite tematike, të organizuar në bashkëpunim me Muzeun Popullor të Malit të Zi, ata mësuan për historinë, arkitekturën dhe rëndësinë e kësaj rezidence.

Në bashkëbisedimin me nxënësit, Millatoviq u interesua për shkollimin, dëshirat dhe planet e tyre për të ardhmen, duke i inkurajuar të investojnë në dije, të ndjekin ëndrrat dhe të besojnë në aftësitë e tyre.

Ai theksoi se çdo fëmijë në Mal të Zi duhet të ketë mundësi të barabarta për arsimim dhe zhvillim, pavarësisht nëse jeton në qytet apo në një fshat të vogël malor.

“Dëshiroj që çdo fëmijë në Mal të Zi ta dijë se dyert e institucioneve shtetërore janë të hapura për të. Mali i Zi u përket të gjithë qytetarëve të tij, ndërsa e ardhmja e tij fillon pikërisht me ju”, deklaroi Milatoviq.

Në këtë aktivitet morën pjesë nxënës nga shkolla të Tuzit, Tivarit, Podgoricës, Plevlës, Beranës, Nikshiqit dhe zonave të tjera të vendit.

Përmes kësaj iniciative, presidenti synon t’i afrojë institucionet shtetërore me qytetarët, duke u kushtuar vëmendje të veçantë fëmijëve, edukimit dhe njohjes së trashëgimisë kulturore e historike.

SHARE