Foto: RTCG
Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të intensifikojnë reformat në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit, duke kërkuar rezultate konkrete në hetime, ndjekje penale dhe dënime përfundimtare, përfshirë rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.
Këto kërkesa u theksuan në Forumin Ministror BE–Ballkani Perëndimor, i mbajtur më 5 dhe 6 nëntor në Budvë, ku në fokus ishte edhe forcimi i bashkëpunimit kundër krimit kibernetik, mbrojtja e fëmijëve në internet, trafikimi i migrantëve dhe krimi i organizuar.
Gjatë diskutimeve, përfaqësuesit e BE-së kërkuan strategji më gjithëpërfshirëse kundër korrupsionit, mbrojtje për sinjalizuesit dhe më shumë transparencë në financimin e aktiviteteve politike dhe proceset zgjedhore. U theksua gjithashtu nevoja për bashkëpunim më të ngushtë me Eurojust-in dhe Prokurorinë Publike Evropiane.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua kërcënimeve në hapësirën digjitale, veçanërisht abuzimit dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve në internet, mashtrimeve dhe sulmeve kibernetike. Shqetësim u shpreh edhe për rreziqet e reja që sjell inteligjenca artificiale, përfshirë përmbajtjet deepfake dhe materialet e abuzimit seksual të fëmijëve të krijuara përmes kësaj teknologjie.
BE-ja theksoi rëndësinë e forcimit të kapaciteteve për hetime digjitale dhe bashkëpunimit me Europol-in dhe CEPOL-in.
Në forum u diskutua edhe për menaxhimin e migracionit dhe kontrollin e kufijve. BE-ja bëri të ditur se po përgatit një regjim të ri sanksionesh ndaj personave të përfshirë në kontrabandimin e migrantëve, trafikimin e qenieve njerëzore dhe format e rënda të krimit të organizuar. Masat parashohin ngrirjen e pasurive dhe ndalimin e udhëtimit për personat përgjegjës.
Një tjetër çështje e rëndësishme ishte mbrojtja e të drejtave të fëmijëve, veçanërisht atyre që janë viktima të dhunës dhe veprave penale.
Pjesëmarrësit theksuan nevojën për parandalimin e riviktimizimit të fëmijëve gjatë procedurave institucionale dhe përafrimin e legjislacionit me standardet evropiane. Në fund, BE-ja dhe vendet e Ballkanit Perëndimor u zotuan të vazhdojnë bashkëpunimin në drejtësi dhe siguri, me synim forcimin e institucioneve, mbrojtjen e qytetarëve dhe luftimin më efikas të krimit ndërkufitar.










