Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Mali i Zi ka mbyllur edhe dy kapituj të tjerë në negociatat me Bashkimin Evropian, atë të lëvizjes së lirë të mallrave dhe sigurisë ushqimore, duke e çuar në 23 numrin e kapitujve të mbyllur nga gjithsej 33.
Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, pas konferencës ndërqeveritare të mbajtur sot në Bruksel, deklaroi se Mali i Zi synon t’i përmbyllë të gjithë kapitujt e mbetur deri në fund të vitit, ndërsa në qershor të nënshkruajë Marrëveshjen e Anëtarësimit në BE.
Spajiq theksoi se vendi është i përkushtuar ndaj reformave, forcimit të institucioneve dhe sundimit të ligjit, duke vlerësuar se anëtarësimi i plotë në vitin 2028 mbetet objektiv i arritshëm.
Edhe ministri irlandez për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen, Thomas Byrne, vlerësoi përparimin e Malit të Zi, duke deklaruar se përfundimi i negociatave është afër dhe se ekziston mundësia që të gjithë kapitujt të mbyllen deri në fund të vitit, gjatë presidencës irlandeze.
Spajiq bëri të ditur se një konferencë tjetër ndërqeveritare pritet të mbahet në fund të këtij muaji.
Ai gjithashtu u shpreh se Mali i Zi do të angazhohet për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura me Kroacinë, në frymën evropiane.
Kryeministri tha se pret që përparimi dhe përmbushja e detyrimeve të vendit të njihen nga institucionet evropiane, në mënyrë që Mali i Zi të ecë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian në vitin 2028.










