OSBE MBËSHTET NJOHJEN ZYRTARE TË PROFESIONIT TË PUNONJËSVE RINORË NË MAL TË ZI

Foto: OSBE

Misioni i OSBE-së në Mal të Zi ka mbështetur dialogun mes institucioneve dhe organizatave për njohjen dhe standardizimin e profesionit të punonjësve rinorë, me synim krijimin e kushteve më të mira për përfshirjen aktive të të rinjve në shoqëri.

Në kuadër të aktivitetit “STANDARD(NO) – CV-ja e një profesioni”, të mbajtur më 3 nëntor në Podgoricë, është prezantuar propozimi për standardet profesionale të punonjësve rinorë.

Aktiviteti u organizua nga Shoqata e Praktikuesve të Punës Rinore në Mal të Zi dhe Misioni i OSBE-së, ndërsa mblodhi përfaqësues të institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile dhe profesionistë të kësaj fushe.

Zëvendësshefi i Misionit të OSBE-së, Giovanni Gabassi, theksoi rëndësinë e punës rinore për zhvillimin e të rinjve dhe pjesëmarrjen e tyre në proceset shoqërore.

Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm për Rininë dhe Bashkëpunimin me Organizatat Joqeveritare në Ministrinë e Sportit dhe Rinisë, Darko Stojanoviq, bëri të ditur se standardet e propozuara do të ndihmojnë në përcaktimin më të qartë të përgjegjësive dhe kompetencave të kësaj profesioni.

Ai theksoi se Ligji i ri për të Rinjtë, i cili ndodhet në fazën përfundimtare të procedurës së miratimit, e njeh zyrtarisht punën rinore dhe krijon bazën për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj fushe.

Kryetarja e UPOR-it, Ajsha Haxhibegoviq, vlerësoi se ky është një hap i rëndësishëm drejt njohjes së një profesioni që prej kohësh ekziston në praktikë.

Standardet e propozuara janë hartuar pas konsultimeve me më shumë se 50 aktorë dhe synojnë të përcaktojnë më saktë aftësitë dhe përgjegjësitë e punonjësve rinorë.

OSBE-ja bëri të ditur se do të vazhdojë mbështetjen për iniciativa që u mundësojnë të rinjve të zhvillojnë aftësitë e tyre, të marrin pjesë aktivisht në shoqëri dhe të kenë zë në vendimmarrje.

SHARE