Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Disa institucione në Mal të Zi janë përballur me sulme kibernetike, ka bërë të ditur ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj.
Ai ka theksuar se sistemet që janë nën përgjegjësinë e ministrisë që drejton nuk kanë pësuar dëme dhe po funksionojnë normalisht.
Përmes një reagimi në rrjetin social X, Dukaj tha se sulmet kibernetike janë një kërcënim i vazhdueshëm për institucionet, ndërsa incidentet e regjistruara ditëve të fundit e kanë dëshmuar këtë rrezik.
Sipas tij, institucionet e prekura kanë sisteme të pavarura, jashtë fushës së mbrojtjes së Ministrisë së Administratës Publike.
Megjithatë, ministria ka izoluar menjëherë pjesën e prekur të rrjetit nga pjesa tjetër e institucioneve shtetërore, ndërsa ekipet profesionale po ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve.
Dukaj bëri të ditur gjithashtu se ka zhvilluar një takim me drejtorin e Agjencisë për Sigurinë Kibernetike, Aleksandër Angjiq, nga i cili ka marrë konfirmimin se janë ndërmarrë hapa për trajtimin e situatës.
Ai u bëri thirrje institucioneve që të rrisin përgjegjësinë, të forcojnë kapacitetet profesionale dhe të investojnë më shumë në sigurinë dhe qëndrueshmërinë e sistemeve, duke paralajmëruar se pasojat e sulmeve kibernetike mund të jenë serioze.










