Foto: EC
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, deklaroi se Mali i Zi është vendi më pranë përfundimit të procesit të anëtarësimit në BE, ndërsa komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, theksoi se vendi është në rrugën për t’u bërë anëtari i 28-të i Unionit në vitin 2028.
Kallas, gjatë prezantimit të Paketës së Zgjerimit të Komisionit Evropian, tha se anëtarësimi në BE po afrohet për shtetet që përmbushin kushtet dhe se Mali i Zi, Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina janë ndër vendet që po avancojnë më shumë në këtë proces.
Ajo theksoi se Mali i Zi është më afër përfundimit të negociatave dhe se pritet që marrëveshja e anëtarësimit të nënshkruhet verën e vitit të ardhshëm.
Sipas saj, zgjerimi do të kontribuojë edhe në forcimin e sigurisë së Bashkimit Evropian.
Kallas vlerësoi gjithashtu përparimin e Shqipërisë, e cila ka hapur të gjithë grupkapitujt negociues, ndërsa për Moldavinë dhe Ukrainën tha se po shënojnë progres pavarësisht sfidave dhe presioneve të jashtme.
Nga ana e saj, Marta Kos tha se Mali i Zi ka shënuar rezultate të rëndësishme në sundimin e ligjit, menaxhimin ekonomik, statistikë dhe reformën e administratës publike.
Ajo bëri të ditur se vendi ka mbyllur përkohësisht 21 kapituj negociues dhe se Komisioni Evropian vlerëson se ekzistojnë kushtet për përmbylljen e kapitujve të mbetur.
„Mali i Zi është në rrugën për t’u bërë anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian në vitin 2028 dhe marrëveshjen e anëtarësimit mund ta nënshkruajmë në qershor të vitit 2027“, deklaroi Kos.
Komisionerja evropiane prezantoi edhe tri risi të procesit të zgjerimit, përfshirë hartat orientuese për vendet që kanë shënuar përparimin më të madh, modelin e ri të integrimit gradual dhe mundësitë për përfshirjen më të hershme të vendeve kandidate në politikat e BE-së.
Ajo theksoi se integrimi gradual do t’u mundësojë vendeve kandidate të përfitojnë nga bashkëpunimi me Unionin edhe para anëtarësimit të plotë, veçanërisht në fushën e sigurisë, migracionit dhe luftës kundër krimit të organizuar.
Kos nënvizoi se zgjerimi varet nga vullneti politik dhe zbatimi i reformave, duke theksuar se përparimi i vendeve kandidate është rezultat i përpjekjeve të përbashkëta me institucionet dhe shtetet anëtare të BE-së.










