Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Mali i Zi dhe Turqia kanë mundësi të zgjerojnë më tej bashkëpunimin ekonomik, veçanërisht në marrëdhëniet tregtare dhe nxitjen e investimeve, u vlerësua në takimin ndërmjet zëvendëskryeministrit për Politikë Ekonomike dhe njëherësh ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, dhe ambasadores turke në Podgoricë, Ajda Ünlü.
Gjatë takimit u theksuan marrëdhëniet tradicionale miqësore mes dy vendeve dhe mundësitë për thellimin e partneritetit ekonomik, me fokus në rritjen e shkëmbimit tregtar, tërheqjen e investimeve dhe krijimin e kushteve më të favorshme për bashkëpunimin mes bizneseve.
Gjeloshaj theksoi se Turqia është një partner i rëndësishëm ekonomik për Malin e Zi, duke nënvizuar interesin e përbashkët për investime të reja, shkëmbim përvojash dhe realizimin e projekteve të përbashkëta.
Nga ana e saj, ambasadorja Ünlü shprehu gatishmërinë për forcimin e mëtejshëm të partneritetit ekonomik dhe shfrytëzimin e mundësive të reja për bashkëpunim mes dy vendeve.










