JOKOVIQ: PAGAT DUHET TË RRITEN, POR PA RREZIKUAR QËNDRUESHMËRINË E EKONOMISË

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Pagat në Mal të Zi duhet të rriten në nivelin maksimal të mundshëm, por pa rrezikuar qëndrueshmërinë ekonomike dhe aftësinë e kompanive për të përmbushur detyrimet financiare, deklaroi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Administrimit të Ujërave, Vlladimir Jokoviq.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetit të Partisë Demokratike të Socialistëve (PDS), Ivan Vukoviq, në Kuvend, Jokoviq tha se mbështet çdo rritje të pagave, por theksoi se duhet të merret parasysh nëse bizneset do të kenë mundësi t’i përballojnë ato.

Ai rikujtoi se ka mbështetur edhe dy modelet e mëparshme të rritjes së pagave, „Evropa Tani 1“ dhe „Evropa Tani 2“, pasi i ka konsideruar të arsyeshme.

Jokoviq theksoi se shqetësimi kryesor lidhet me kompanitë, veçanërisht në veri të vendit, si dhe me bizneset e vogla, ndërmarrjet komunale, furrat e bukës, taksistët dhe shërbimet e tjera, të cilat mund të kenë vështirësi në përballimin e pagave më të larta.

„Gjithmonë dëshiroj që çdo punonjës në Mal të Zi të marrë pagë më të lartë dhe, nëse kjo është e mundur, e mbështes plotësisht. Por duhet të kujdesemi që kompanitë të kenë mundësi t’i paguajnë këto paga“, deklaroi Jokoviq.

SHARE