MACRON KËRKON PËRPARIM TË KOSOVËS DREJT BE-së DHE NORMALIZIM ME SERBINË

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka uruar presidenten e re të Kosovës, Justina Shiroka Pula, duke shprehur shpresën se zgjedhja e saj do t’i japë shtysë përparimit të vendit drejt Bashkimit Evropian.

Në letrën e urimit, Macron riafirmoi mbështetjen e Francës për perspektivën evropiane të Kosovës dhe për dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Ai theksoi se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve mbetet një çështje e rëndësishme për avancimin e Kosovës drejt integrimit evropian. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por kërkesa e saj ende nuk është shqyrtuar nga vendet anëtare.

Një pengesë shtesë mbetet fakti se pesë shtete të BE-së – Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja – nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Ndërkohë, marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dhe Ohër në vitin 2023 vazhdojnë të mos zbatohen plotësisht. Ato parashohin, ndër të tjera, zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe zgjidhjen e çështjeve që lidhen me komunitetin serb në Kosovë.

Macron vlerësoi gjithashtu partneritetin ndërmjet Francës dhe Kosovës, duke përmendur takimin me kryeministrin Albin Kurti në Paris në mars dhe marrëveshjet e nënshkruara gjatë vizitës së ministrit francez për Evropën, Benjamin Haddad, në Prishtinë në korrik.

Marrëveshjet përfshijnë bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, arsimit dhe sportit, si dhe një kredi prej 60 milionë eurosh nga Agjencia Franceze për Zhvillim për investime infrastrukturore në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.

SHARE