KE: UKRAINA DUHET TË PËRSHPEJTOJË REFORMAT PËR TË ARRITUR ANËTARËSIMIN NË BE DERI NË VITIN 2028

Ukraina duhet të përshpejtojë reformat nëse dëshiron të përmbushë synimin për përfundimin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në fund të vitit 2028, thuhet në raportin e Komisionit Evropian për zgjerimin, të publikuar të mërkurën.

Komisioni Evropian deklaroi se është i gatshëm ta mbështesë këtë objektiv ambicioz të Qeverisë ukrainase, por theksoi se arritja e tij kërkon përparim më të shpejtë në zbatimin e reformave.

Pavarësisht luftës së vazhdueshme me Rusinë, Ukraina ka vazhduar angazhimin për integrimin evropian.

Megjithatë, Brukseli kërkon që Kievi të përqendrohet veçanërisht në forcimin e sundimit të ligjit, reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe zbatimin e planit të veprimit për pakicat kombëtare.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka përcaktuar anëtarësimin në BE si një nga objektivat kryesorë të politikës së jashtme, duke e konsideruar atë të rëndësishëm për sigurinë dhe zhvillimin afatgjatë të vendit.

Në raport, Komisioni Evropian vlerësoi se Moldavia po përparon më shpejt se Ukraina në zbatimin e reformave.

Qeveria moldave synon t’i përmbyllë përkohësisht negociatat e anëtarësimit deri në fillim të vitit 2028.

Brukseli e konsideron këtë objektiv ambicioz, por të arritshëm, nëse Moldavia ruan ritmin aktual të reformave.

Ukraina dhe Moldavia morën statusin e vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian në qershor të vitit 2022. Ndërkohë, procesi i anëtarësimit kërkon përmbushjen e standardeve të BE-së dhe ratifikimin e marrëveshjes nga të gjitha shtetet anëtare.

SHARE