Shqipëria ka përfituar deri më tani vetëm një pjesë të vogël të fondeve të parashikuara nga Plani i Rritjes i Bashkimit Europian, për shkak të vonesave në zbatimin e reformave dhe finalizimin e marrëveshjeve për administrimin e investimeve.
Sipas revistës Monitor, nga financimi i përgjithshëm prej 922 milionë eurosh, deri në fund të vitit 2025 janë disbursuar vetëm 76.2 milionë euro në formën e mbështetjes buxhetore.
Ndërkohë, për financimin e projekteve, që kap vlerën e 228.5 milionë eurove, nuk është disbursuar asnjë fond.
Sipas auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) për zbatimin e buxhetit të vitit 2025, një nga pengesat kryesore mbetet mosfinalizimi i marrëveshjeve me Bankën Europiane të Investimeve dhe Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, institucione përgjegjëse për menaxhimin e fondeve të investimeve.
KLSH evidenton gjithashtu vonesa në përmbushjen e reformave të kërkuara nga Komisioni Europian, të cilat përfshijnë fusha të ndryshme, si energjia, klima e biznesit, siguria kibernetike, sistemi gjyqësor, qeverisja e ndërmarrjeve shtetërore dhe transparenca e financave publike.
Plani i Rritjes parashikon një financim prej 922 milionë eurosh për Shqipërinë, në formën e huave dhe granteve.
Megjithatë, përfitimi i këtyre fondeve është i kushtëzuar nga zbatimi i 95 masave të përcaktuara në Agjendën e Reformave.
Përmbushja e këtyre kushteve vlerësohet nga Komisioni Europian, ndërsa vonesat në realizimin e tyre rrezikojnë të shtyjnë disbursimin e mëtejshëm të fondeve europiane.









