Kryenegociatori i Malit të Zi me Bashkimin Evropian, Predrag Zenoviq, deklaroi në Senatin e Francës se anëtarësimi i vendit të tij në BE mund të dëshmojë se procesi i zgjerimit evropian është i besueshëm dhe i qëndrueshëm, kur mbështetet në reforma konkrete, rezultate dhe besim të ndërsjellë.
Gjatë takimit me anëtarët e Komisionit për Çështjet Evropiane të Senatit francez, Zenoviq prezantoi rezultatet e negociatave dhe prioritetet e Malit të Zi në fazën përfundimtare të procesit të anëtarësimit.
Ai theksoi se anëtarësimi në BE nuk përfaqëson vetëm zhvillim ekonomik dhe përafrim me standardet evropiane, por edhe konfirmim të orientimit të Malit të Zi në politikën e jashtme, sigurinë dhe vlerat evropiane.
Zenoviq vlerësoi se zgjerimi është i rëndësishëm jo vetëm për vendet kandidate, por edhe për rolin gjeopolitik të Bashkimit Evropian dhe aftësinë e tij për të forcuar ndikimin në kontinentin evropian.
Gjatë vizitës në Paris, ai zhvilloi takime me përfaqësues të Senatit dhe Asamblesë Kombëtare të Francës, si dhe me zyrtarë të institucioneve franceze përgjegjëse për çështjet evropiane dhe politikën e jashtme.
Vizita synon forcimin e mbështetjes franceze për anëtarësimin e Malit të Zi në BE, në një fazë vendimtare të negociatave.










