DUKAJ: ADMINISTRATA PUBLIKE DUHET TË JETË NË SHËRBIM TË QYTETARËVE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministri i Administratës Publike i Malit të Zi, Marash Dukaj, ka deklaruar se administrata publike duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo pengesë në realizimin e të drejtave të tyre, duke theksuar se qytetarët nuk duhet të detyrohen të bartin dokumente nga një institucion në tjetrin.

Gjatë panelit ministror në konferencën ndërkombëtare “KosovaPAR 2026”, të mbajtur në Prishtinë, Dukaj theksoi rëndësinë e modernizimit të administratës, profesionalizimit të nëpunësve dhe zhvillimit të shërbimeve digjitale.

Ai nënvizoi se institucionet duhet të shkëmbejnë vetë të dhënat që shteti tashmë i posedon, ndërsa qytetarëve duhet t’u mundësohet dorëzimi elektronik i kërkesave, ndjekja e procedurave dhe marrja e vendimeve pa qenë nevoja të paraqiten fizikisht në sportele.

Një ndër prioritetet kryesore për dy deri në tre vitet e ardhshme, sipas Dukajt, është zhvillimi i portofolit digjital, i cili do t’u mundësojë qytetarëve të ruajnë në telefon dokumente personale, si letërnjoftimin, patentën e shoferit dhe diplomat, si dhe të përdorin nënshkrimin elektronik.

Dukaj propozoi gjithashtu një projekt pilot për njohjen e ndërsjellë të identitetit digjital në vendet e rajonit, me qëllim lehtësimin e shërbimeve ndërkufitare.

Ai theksoi se digjitalizimi duhet të jetë i qasshëm për të gjithë qytetarët, pavarësisht vendbanimit apo aftësive teknologjike, duke garantuar njëkohësisht mbrojtjen e të dhënave personale.

Sipas Dukajt, suksesi i reformës së administratës publike duhet të matet me shkurtimin e procedurave, cilësinë e shërbimeve dhe nivelin e kënaqësisë së qytetarëve.

SHARE