Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Malit të Zi ka miratuar propozimin e deklaratës së përbashkët dhe rekomandimet në mbledhjen e 26-të, të zhvilluar gjatë dy ditëve në Parlamentin e Malit të Zi.
Gjatë takimit u diskutua për negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e mjedisit.
Në total u paraqitën 22 amendamente, prej të cilave 15 nga eurodeputetët dhe shtatë nga deputetët malazezë.
Vëmendje të veçantë tërhoqi refuzimi i të gjitha amendamenteve të eurodeputetes kroate Sunçana Glavak, të cilat trajtonin çështjet e pazgjidhura ndërmjet Malit të Zi dhe Kroacisë, përfshirë dëmshpërblimin e ish-të burgosurve të kampit të Morinjit, krimet e luftës, personat e zhdukur, mosmarrëveshjet pronësore, anijen shkollore “Jadran” dhe përcaktimin e kufirit.
Glavak kërkoi që përparimi në zgjidhjen e këtyre çështjeve të merrej parasysh gjatë vlerësimit të procesit të integrimit evropian të Malit të Zi, veçanërisht në kuadër të kapitullit 23, që lidhet me gjyqësorin dhe të drejtat themelore.
Megjithatë, propozimet e saj nuk morën mbështetjen e deputetëve malazezë.
Ndërkohë, amendamenti i deputetit Vasilije Çarapiq u mbështet unanimisht.
Ai theksoi se Qeveria e Malit të Zi ka miratuar të gjitha pozicionet negociuese dhe ia ka dërguar Komisionit Evropian, duke krijuar kushtet për vlerësimin e 12 kapitujve të mbetur deri në fund të vitit.
Në pjesën kushtuar mjedisit, ministri Damjan Qullafiq theksoi përparimin në mbrojtjen e natyrës, duke veçuar rrjetin ekologjik Natura 2000 dhe Kriporen e Ulqinit.
Përfaqësuesit evropianë vlerësuan reformat e Malit të Zi, por theksuan se mbeten sfida në tranzicionin energjetik dhe mbrojtjen e mjedisit.
Në fund të takimit u konfirmua mbështetja për vazhdimin e reformave dhe përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian.










