Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, u përball me kritika të opozitës gjatë seancës së sotme të „Orës së Kryeministrit” në Kuvend, ku në fokus ishin standardi jetësor i qytetarëve, pensionet, inflacioni dhe masat ekonomike të Qeverisë.
Kreu i Partisë Demokratike të Socialistëve (PDS), Danijell Zhivkoviq, kritikoi gjendjen ekonomike të pensionistëve, duke theksuar se rreth 50 mijë prej tyre jetojnë me pensione prej 456 eurosh, ndërsa më shumë se 80 mijë marrin pensione nën mesataren. Ai kërkoi që Qeveria të mbështesë propozimin për rritjen lineare të pensioneve me 30 për qind.
Spajiq u përgjigj se modeli ekonomik i Qeverisë synon rritjen e pensioneve në përputhje me rritjen e pagave dhe mbrojtjen e standardit të qytetarëve të moshuar. Ai akuzoi opozitën se nuk ka arritur të përmirësojë kushtet e jetesës gjatë periudhës kur ishte në pushtet.
Një tjetër temë e debatit ishte inflacioni dhe rritja e çmimeve. Spajiq deklaroi se presionet inflacioniste lidhen kryesisht me faktorë të jashtëm, ndërsa si masa për përballimin e tyre përmendi kufizimin e marzheve tregtare dhe krijimin e rezervave shtetërore të mallrave.
Kreu i Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq, kritikoi Qeverinë për mosrealizimin e premtimeve lidhur me krijimin e një supermarketi shtetëror dhe paralajmëroi se deklaratat e tilla kanë ndikuar në rritjen e çmimeve. Seanca u shoqërua edhe me përplasje të ashpra politike për akuzat për korrupsion, ndarjen e banesave shtetërore dhe marrëdhëniet me vendet fqinje.
Deputetët diskutuan gjithashtu për integrimin evropian, modernizimin e sektorit të aviacionit dhe projektet infrastrukturore.
Sa u përket investimeve, Spajiq konfirmoi angazhimin e Qeverisë për realizimin e projekteve në Ulqin, përfshirë ndërtimin e urës mbi lumin Buna dhe zhvillimin e portit të Limanit. Ai përmendi edhe rëndësinë e autostradës Adriatiko-Joniane për zhvillimin ekonomik të vendit.
Seanca e sotme dëshmoi për përplasjet mes pozitës dhe opozitës lidhur me politikat ekonomike dhe mënyrën se si Qeveria po përballet me sfidat që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.










