Protesta e studentëve në Tiranë ka hyrë në ditën e 11-të, ndërsa kërkesave të tyre u janë bashkuar edhe pedagogë, mjekë, profesionistë të shëndetësisë dhe qytetarë.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, përmirësimin e kushteve të arsimit të lartë dhe të jetesës, si dhe krijimin e një qeverie tranzitore me përbërje teknike për kapërcimin e krizës politike.
Pedagogët dhe studentët u mblodhën fillimisht para Universitetit Politeknik të Tiranës, ku kryetari i Sindikatës së Pedagogëve, Aleksandër Kovaçi, bëri thirrje për më shumë bashkëpunim në mbështetje të kauzës së studentëve.
Ai deklaroi se sindikata do t’u bashkohet protestuesve dhe kërkoi t’i jepet fund, siç u shpreh ai, diktatit në universitete.
Në protestën para Kryeministrisë morën pjesë edhe studentë të mjekësisë, të veshur me uniformat e bardha dhe maska kirurgjikale.
Gjatë marshimit në rrugët e Tiranës, ata përsëritën thirrjet në mbështetje të protestës dhe bashkimit të studentëve.
Mbështetje për protestuesit shprehën edhe një grup mjekësh, stomatologësh, farmacistësh dhe punonjësish të tjerë të shëndetësisë. Përmes një deklarate, ata dënuan dhunën ndaj studentëve dhe personave që u kanë ardhur në ndihmë të lënduarve, duke kërkuar veprime konkrete për mbrojtjen e jetës, dinjitetit njerëzor dhe të drejtës për protestë paqësore.
Mjeku dhe pedagogu Ermal Pashaj deklaroi se profesionistët e shëndetësisë nuk mund të qëndrojnë indiferentë përballë dhunës dhe cenimit të të drejtave të të rinjve.
Ai theksoi se arsimi cilësor, mundësitë e barabarta dhe e drejta për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri janë çështje që prekin të gjithë shoqërinë.
Pashaj bëri të ditur se grupimi kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, si përgjegjësi politike për krizën dhe përshkallëzimin e saj, si dhe krijimin e një qeverie tranzitore me përbërje teknike, e cila do të mundësonte një dalje paqësore nga situata dhe rikthimin e besimit të qytetarëve.
Edhe kryetari i Sindikatës së Mjekëve, Gentian Stroni, u shpreh në mbështetje të kërkesave të studentëve, duke i cilësuar ato legjitime.
Ai bëri thirrje për vetëpërmbajtje nga të dyja palët dhe kundërshtoi dhunën fizike, duke theksuar se qëllimi i profesionistëve të shëndetësisë është të mbrojnë studentët dhe të parandalojnë lëndimet.
Ndërkaq, pedagogu dhe ish-deputeti Aleksandër Biberaj deklaroi se kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit është e panegociueshme.
Studentët, pedagogët dhe qytetarët po protestojnë prej 11 ditësh në Tiranë, duke kërkuar ndryshime politike, dorëheqjen e kreut të qeverisë dhe përmirësimin e kushteve të arsimit dhe të jetesës.








