GORÇEVIQ: MALI I ZI KA PËRMBUSHUR TË GJITHA KRITERET PËRFUNDIMTARE, SYNON ANËTARËSIMIN NË BE MË 2028

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministrja e Çështjeve Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorçeviq, deklaroi se vendi ka përmbushur të gjitha kriteret përfundimtare dhe detyrimet në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian, ndërsa pozicionet negociuese për të 33 kapitujt janë dërguar në Komisionin Evropian dhe shtetet anëtare për vlerësim të mëtejshëm.

Ajo e cilësoi këtë një nga momentet më të rëndësishme politike dhe institucionale në rrugën e Malit të Zi drejt anëtarësimit në BE, duke theksuar se vendi ka dëshmuar se është partner i besueshëm dhe i aftë të përmbushë objektivat e tij evropiane.

Gorçeviq rikujtoi se negociatat e anëtarësimit me BE-në nisën më 29 qershor 2012 dhe se deri në vitin 2020 Mali i Zi kishte hapur të 33 kapitujt negociues.

Aktualisht, vendi ka mbyllur përkohësisht 21 kapituj, ndërsa Qeveria synon të përmbyllë edhe 12 kapitujt e mbetur deri në fund të këtij viti.

Sipas saj, objektivi i Qeverisë mbetet përfundimi i negociatave deri në fund të vitit 2026, nënshkrimi i Traktatit të Anëtarësimit në vitin 2027 dhe anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian në vitin 2028.

Duke folur për marrëdhëniet me Kroacinë dhe çështjen e dëmshpërblimit për ish-të burgosurit në kampin e Morinjit, Gorçeviq tha se Qeveria malazeze ende nuk ka marrë vendim për shumën e kompensimit, përfshirë mundësinë që ajo të arrijë në 17 milionë euro.

Ajo theksoi se çështjet e hapura ndërmjet dy vendeve duhet të zgjidhen përpara anëtarësimit të Malit të Zi në BE.

Gorçeviq shtoi se pret intensifikimin e dialogut me Kroacinë dhe vlerësoi mbështetjen që ky vend i ka dhënë Malit të Zi në procesin e integrimit evropian, përfshirë ndihmën e ekspertëve për përmbylljen e kapitujve negociues.

SHARE