Një raketë balistike ruse goditi mbrëmjen e së martës një central energjetik në Kiev, ndërsa nga sulmi u dëmtua edhe një ndërtesë banimi, ku shpërtheu zjarr. Sipas autoriteteve ukrainase, dy persona humbën jetën dhe 21 të tjerë u plagosën, katër prej të cilëve ndodhen në gjendje kritike.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se objektivi kryesor i sulmit ishte centrali energjetik CHPP-4, një prej impianteve të rëndësishme për furnizimin me energji të kryeqytetit. Ai kritikoi mungesën e paralajmërimit nga aleatët perëndimorë për lëshimin e raketave balistike, duke theksuar se sistemet ukrainase i zbuluan ato vetëm kur ishin pranë Kievit.
Sulmi ka shtuar shqetësimet në Ukrainë për vazhdimësinë e mbështetjes perëndimore, veçanërisht për bashkëpunimin me shërbimet amerikane të inteligjencës, të cilat ndihmojnë Kievin në paralajmërimin e sulmeve ruse.
Tensionet e fundit mes Zelenskyt dhe presidentit amerikan, Donald Trump, kanë rritur frikën për një kufizim të mundshëm të kësaj mbështetjeje.
Ndërkohë, kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, konfirmoi bilancin e viktimave dhe të të plagosurve.
Autoritetet ukrainase po vazhdojnë vlerësimin e dëmeve, ndërsa sulmi përbën një tjetër goditje ndaj infrastrukturës energjetike dhe zonave të banuara të kryeqytetit.








