Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës në Kosovë ka bërë thirrje për stabilitet institucional, bashkëpunim politik dhe vazhdim të reformave në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Ajo vlerësoi krijimin e Kuvendit dhe Qeverisë, ndërsa si hapin e radhës përmendi zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, duke theksuar se stabiliteti institucional është i domosdoshëm për reforma, rritje ekonomike dhe integrim evropian.
Von der Leyen tha se Kosova mund të përfitojë deri në 882 milionë euro përmes Planit të Rritjes së BE-së, ndërsa deri tani ka marrë 62 milionë euro parafinancim.
Ajo përmendi gjithashtu rëndësinë e përparimit në procesin e roaming-ut dhe anëtarësimit në SEPA.
Duke folur për Dhomat e Specializuara, von der Leyen theksoi se aktgjykimi lidhet me përgjegjësinë individuale të personave të akuzuar dhe se vendimet e një institucioni të pavarur gjyqësor duhet të respektohen, ndërsa për ndryshimet e mundshme në ligjin për Specialen tha se Kosova ka të drejtë të vendosë, por duhet të ruhet pavarësia e gjyqësorit.
Ajo theksoi edhe nevojën që Kosova të ruajë karakterin multietnik dhe të ndërtojë besim me komunitetin serb, duke përsëritur mbështetjen e saj për të ardhmen evropiane të Kosovës.








