Foto: Aleanca Shqiptare
Aleanca Shqiptare, e përbërë nga FORCA, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi, ka njoftuar se unanimisht do ta mbështesë shkarkimin e Andrija Mandiqit nga posti i kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi.
Nga Aleanca Shqiptare kanë theksuar se për ta kjo nuk është çështje e marrëdhënieve me një parti politike, por çështje e vlerave dhe parimeve.
Sipas tyre, glorifikimi i personave të dënuar për krime lufte, përfshirë Ratko Mlladiqin, dhe relativizimi i krimeve të tyre nuk janë të pajtueshme me vlerat e një Mali të Zi modern, qytetar dhe evropian.
Aleanca vlerëson se kryetari i Kuvendit ka përgjegjësi të veçantë për të përfaqësuar të gjithë qytetarët dhe për të mbrojtur dinjitetin e institucionit që drejton.
Për këtë arsye, votën për shkarkimin e Mandiqit e konsiderojnë votë për vlerat evropiane, kulturën e përgjegjësisë dhe të kujtesës, si dhe për të ardhmen evropiane të Malit të Zi.
Në të njëjtën kohë, Aleanca Shqiptare ka kërkuar një dialog më serioz për përfaqësimin politik të garantuar të pakicave, decentralizimin real dhe fiskal të shtetit, forcimin e vetëqeverisjes lokale, si dhe për menaxhimin e të mirave detare dhe kthimin e kompetencave te komunat bregdetare.
Sipas tyre, për shqiptarët këto janë çështje të barazisë dhe besimit në institucione.
Ata kanë theksuar se pakicat nuk duhet të jenë vetëm mbështetëse të rrugës evropiane të Malit të Zi, por pjesëmarrëse të barabarta në vendimmarrjen për të ardhmen e vendit.
Aleanca deklaron se vota për shkarkimin e Mandiqit përfaqëson një vijë të qartë kundër glorifikimit të kriminelëve të luftës, por njëkohësisht edhe një thirrje për një Mal të Zi më të decentralizuar, më të drejtë dhe më evropian.











