KOMUNA E TUZIT SHËNON SOT 8-VJETORIN E THEMELIMIT TË SAJ, AKTIVITETET E PARAPARA SHTYHEN PËR MË 3 SHTATOR

Foto: Facebook

Komuna e Tuzit shënon sot 8-vjetorin e themelimit të saj, ndërsa aktivitetet e parapara për këtë rast janë shtyrë për 3 shtator, për shkak të ditëve të zisë të shpallura në Mal të Zi pas tragjedisë në Danillovgrad.

Me rastin e Ditës së Komunës, kryetari i Tuzit, Lindon Gjelaj, dhe zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, kanë uruar qytetarët përmes rrjeteve sociale.

Në urimin e tij, Gjelaj ka vlerësuar zhvillimin që ka shënuar Komuna e Tuzit gjatë tetë viteve të fundit, duke kujtuar se Malësisë iu rikthye e drejta për të qeverisur vetë dhe për të vendosur për zhvillimin e saj.

Ai ka theksuar rritjen e ndjeshme të buxhetit të Komunës së Tuzit, nga 1.7 milionë euro në vitin 2019 në 13 milionë euro në vitin 2026, duke e cilësuar këtë si dëshmi të rritjes dhe fuqizimit të komunës.

“Sot, krenarinë e mbështesim në rezultate, ndërsa të ardhmen në ambicie edhe më të mëdha”, ka shkruar Gjelaj, duke uruar qytetarët për Ditën e Komunës.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri Nik Gjeloshaj ka përcjellë urimin e tij me mesazhin: “Urime Ditën e Komunës së Tuzit! Krenarë për arritjet tona, të bashkuar për zhvillimin evropian dhe të ardhmen e Malësisë!”

Gjeloshaj ka theksuar gjithashtu se “Malësia nuk mund të kthehet prapa, as të ndalet në zhvillim”.

SHARE