Foto: Ilustrim
Islanda do të mbajë më 29 gusht referendum për rihapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Diplomatët e BE-së vlerësojnë se një rezultat pozitiv mund të rrisë mbështetjen në Evropë për zgjerimin e Unionit dhe t’i lehtësojë Malit të Zi rrugën drejt anëtarësimit.
Mali i Zi synon të anëtarësohet në BE në vitin 2028, ndërsa përballë zgjerimit ekziston ende skepticizëm në disa shtete anëtare.
Sipas diplomatëve evropianë, përfshirja e një vendi të pasur dhe me ekonomi moderne si Islanda mund ta bëjë zgjerimin më tërheqës për qytetarët e BE-së dhe të ndihmojë në kapërcimin e rezervave ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Referendumi islandez nuk vendos përfundimisht për anëtarësimin në BE, por vetëm për rihapjen e negociatave.
Në rast të një rezultati pozitiv, negociatat mund të zgjasin rreth një deri në dy vjet, ndërsa anëtarësimi do të kërkonte një referendum të dytë në Islandë dhe ratifikimin e marrëveshjes nga të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së.
Sipas diplomatëve, një proces i përbashkët i zgjerimit me Islandën dhe Malin e Zi mund të ndihmojë në kapërcimin e pengesave politike në disa vende të BE-së.
Megjithatë, peshkimi pritet të jetë një nga çështjet më të vështira në negociatat e mundshme me Islandën.
Në vitin 2025, një sondazh i Eurobarometrit tregoi se 56 për qind e qytetarëve të BE-së mbështesin zgjerimin e mëtejshëm të Unionit, megjithëse niveli i mbështetjes ndryshon nga një shtet në tjetrin.










