VON DER LEYEN: BE-ja E SHEH MALIN E ZI SI ANËTAREN E 28-të

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, tha se Bashkimi Evropian e sheh Malin e Zi si anëtaren e 28-të të Unionit deri në vitin 2028 dhe se Podgorica mund të llogarisë në mbështetjen e BE-së gjatë gjithë procesit të integrimit.

Ajo vlerësoi përparimin e vendit në reformat, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, duke theksuar se Mali i Zi ndodhet në fazën përfundimtare të procesit.

Sipas saj, mbyllja e të gjithë kapitujve deri në fund të vitit kërkon stabilitet të vazhdueshëm politik, mbështetje të gjerë nga partitë dhe ruajtjen e fokusit në rrugën evropiane.

Von der Leyen e cilësoi Malin e Zi si lider në rajon edhe në zbatimin e Planit të Rritjes, me mbi 90 për qind të detyrimeve të realizuara.

Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq tha se qeveria mbetet e fokusuar në rezultat dhe se shumica e kapitujve tashmë i janë dërguar Komisionit Evropian për shqyrtim.

Ai shprehu bindjen se Mali i Zi do t’i përfundojë kapitujt deri në fund të vitit 2026 dhe do të bëhet anëtar i BE-së në vitin 2028.

Von der Leyen tha gjithashtu se BE-ja po përgatit udhërrëfyes për vendet më të avancuara kandidate, ndërsa për çështjet dypalëshe me Kroacinë pritet të gjendet zgjidhje.

SHARE