MAJNL-RAJZINGER: PLANI I ANËTARËSIMIT GRADUAL NË BE NUK DO TË ZBATOHET PËR MALIN E ZI

Foto: MPJ / MVP

Ministrja austriake për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare, Beate Majnl-Rajzinger, tha se plani i anëtarësimit gradual të vendeve kandidate në Bashkimin Evropian nuk do të zbatohet për Malin e Zi, pasi ky vend është më i avancuari në procesin e integrimit.

Pas takimit me ministrat e Jashtëm të Malit të Zi, Çekisë dhe Sllovakisë në Podgoricë, ajo vlerësoi se Mali i Zi është pranë objektivit për mbylljen e të gjithë kapitujve negociues deri në fund të vitit.

Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministër i Jashtëm i Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, tha se në takim u diskutua për integrimin evropian, sigurinë, kërcënimet hibride, energjinë, lidhjet ajrore dhe shfrytëzimin e fondeve nga Plani i Rritjes.

Ministrat e Çekisë dhe Sllovakisë, Petr Maçinka dhe Juraj Blanar, shprehën mbështetjen e tyre për Malin e Zi dhe për përfundimin sa më të shpejtë të negociatave.

Majnl-Rajzinger theksoi gjithashtu nevojën për kontrolle më të forta ndaj pastrimit të parave, veçanërisht sa i përket kapitalit rus, ndërsa Ibrahimoviq tha se Mali i Zi po bashkëpunon me BE-në dhe SHBA-në për të parandaluar ndikimet e jashtme.

SHARE