BESHOVIQ: GJASHTË ZJARRE AKTIVE NË MAL TË ZI, SHUMICA NËN KONTROLL

Foto: Ministria e Punëve të Brendshme / MUP

Gjashtë vatra zjarri janë aktive në Mal të Zi, ndërsa shumica e tyre janë nën kontroll.

Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Ministrinë e Brendshme, Miodrag Beshoviq, bëri të ditur se situata po monitorohet vazhdimisht nga shërbimet kompetente.

Sipas tij, zjarre aktive janë evidentuar në komunat Herceg Novi, Danillovgrad, Kollashin, Ulqin, Cetinë dhe Podgoricë.

Gjatë ditës së djeshme, forcat ajrore u angazhuan në disa zona për shuarjen e flakëve, me përdorimin e avionëve dhe helikopterit të Ushtrisë së Malit të Zi.

Beshoviq tha se ekipet në terren dhe Qendra Operative e Komunikimit 112 po ndjekin nga afër situatën, ndërsa vëmendje e veçantë i kushtohet zbulimit në kohë të vatrave të reja dhe parandalimit të përhapjes së zjarreve.

SHARE