PARLAMENTI DO TË SHQYRTOJË MË 2 SHTATOR NDRYSHIMIN E KUSHTETUTËS

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, me kërkesë të Qeverisë, ka caktuar për 2 shtator një seancë të jashtëzakonshme të Parlamentit, në rendin e ditës të së cilës është përfshirë edhe propozimi për ndryshimin e Kushtetutës së Malit të Zi.

Në rendin e ditës, të publikuar nga Kuvendi, nuk specifikohet se për cilin propozim për ndryshimin e Kushtetutës bëhet fjalë.

Kryeministri Millojko Spajiq kishte kërkuar që në seancë të shqyrtohej propozimi për heqjen e imunitetit të presidentit dhe anëtarëve të Qeverisë për veprat penale që lidhen me korrupsionin, si dhe propozimi për vendosjen e verifikimit të detyrueshëm të integritetit të kandidatëve për mandatar dhe anëtarë të ekzekutivit.

Në rendin e ditës janë edhe disa projektligje, ndër to ndryshimet në Ligjin për Barazinë Gjinore, Ligjin për Mbrojtjen e Barazisë dhe Ndalimin e Diskriminimit, Ligjin për Prokurimet Publike, Ligjin për Mbrojtësin e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, si dhe Ligjin për Tatimin mbi Qarkullimin e Pasurive të Paluajtshme.

Seanca e jashtëzakonshme do të nisë më 2 shtator, në orën 11:00.

SHARE