MOSKA NË FLAKË, UKRAINA MERR HAK / 400 DRONË MBI RUSI, SULMI MË I MADH I LUFTËS

Ukraina sulmoi Moskën me rreth 400 dronë gjatë natës, duke shkaktuar zjarre në disa zona të rajonit. Një park industrial, një depo karburanti dhe disa magazina ishin ndër objektivat e goditura. Një re e dendur tymi u pa mbi qytetin e Podolskut, në periferinë jugore të Moskës, rreth 30 kilometra nga kryeqyteti rus.

Sulmet tona me rreze të gjatë veprimi kanë dhënë rezultate kundër objekteve logjistike dhe një depoje nafte“, deklaroi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke publikuar pamje të sulmeve. “Ne po i përgjigjemi, me të drejtë, çdo sulmi rus kundër qyteteve dhe komuniteteve tona”, shtoi ai.

Sulmet ndaj Rusisë erdhën një ditë pasi Moska kreu sulmin e saj më të madh me raketa balistike ndaj Kievit, i cili zgjati pesë orë, duke vrarë të paktën gjashtë persona dhe plagosur dhjetëra të tjerë. Ky sulm ishte pjesë e një fushate të zgjatur që synon të dobësojë mbrojtjen ajrore të kryeqytetit ukrainas.

Sipas Institutit për Studimin e Luftës (ISW), me seli në Uashington, forcat ruse kanë lëshuar më shumë raketa balistike ndaj Kievit gjatë korrikut sesa janë në gjendje të prodhojnë brenda një muaji.

Sulmet hakmarrëse të Ukrainës përfshinë lëshimin e dronëve mbi rajonin e Moskës gjatë natës së së dielës dhe mëngjesit të së hënës, bëri të ditur kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin. Pamjet e publikuara nga banorët tregonin dronë sulmues FP-1 me rreze të gjatë veprimi duke fluturuar mbi qiellin e Moskës.

Guvernatori i rajonit të Moskës, Andrei Vorobyov, tha se sulmet goditën edhe Domodedovën, qytet rreth 37 kilometra nga qendra e Moskës, ku ndodhet një nga aeroportet më të ngarkuara të Rusisë, si dhe zonën e Odintsovos, në perëndim të kryeqytetit.

Kanali rus i lajmeve Astra, i njohur për qëndrimin e tij kundër luftës, raportoi për zjarre në pesë lokacione të ndryshme në rajon, përfshirë një park industrial të lidhur me një aleat të presidentit rus Vladimir Putin.

Rajoni i Moskës është bërë objekt i një vale të intensifikuar sulmesh me dronë nga Ukraina gjatë javëve të fundit. Sipas Sobyanin, Kievi ka lëshuar rreth 1.900 dronë drejt rajonit të Moskës vetëm në periudhën nga 11 deri më 18 korrik.

Ndërkohë, në Kiev, mijëra qytetarë dolën në protestë gjatë fundjavës, duke kërkuar rikthimin në detyrë të ish-ministrit të Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, si dhe shkarkimin e komandantit të përgjithshëm të ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi.

SHARE