SEANCA E KUVENDIT TË KOMUNËS SË TUZIT: FOKUS TE BUXHETI, ARBITRAZHI DHE ZHVILLIMI LOKAL  

Foto: TV Boin

Sot u mbajt seanca e XVII e Kuvendit të Komunës së Tuzit, në të cilën këshilltarët shqyrtuan dhe miratuan një sërë çështjesh me rëndësi për funksionimin e komunës.

Përveç 23 pikave të planifikuara në rend dite, gjatë seancës u shtuan edhe tri pika të reja: raporti mbi realizimin e Buxhetit të Komunës për vitin 2025, informata mbi procesin e arbitrazhit për ndarjen e territorit dhe pasurisë me Kryeqytetin Podgoricë, si dhe raporti për monitorimin e planeve të biznesit të përfituesve të mbështetjes për ndërmarrjet dhe gratë afariste.

Seanca nisi me shqyrtimin e llogarisë përfundimtare të Buxhetit të Komunës së Tuzit për vitin 2025.

Sekretari për Financa, Driton Gjokaj, bëri të ditur se realizimi i buxhetit ishte ndër më të lartët që nga themelimi i komunës dhe se Komuna ka marrë opinion pozitiv nga revizioni i pavarur. Ai theksoi se nuk ka detyrime të papaguara ndaj institucioneve, ndërsa një pjesë e investimeve kapitale janë realizuar në fillim të vitit 2026 për shkak të procedurave të prokurimit publik.

Kryetari i Komunës, Lindon Gjelaj, vlerësoi se projektet shumëvjeçare nuk duhet të maten vetëm sipas pagesave të kryera brenda një viti buxhetor. Një nga temat kryesore të seancës ishte procesi i arbitrazhit për ndarjen e territorit dhe pasurisë ndërmjet Komunës së Tuzit dhe Kryeqytetit Podgoricë.

Anëtari i Komisionit të Arbitrazhit, Nik Gjeloshaj, rikujtoi se procesi ka nisur menjëherë pas themelimit të komunës, por është zvarritur për shkak të mungesës së afateve ligjore dhe ndryshimeve të shpeshta të pushtetit në Podgoricë. Ai theksoi se Komuna e Tuzit ka mbrojtur vazhdimisht interesat e Malësisë me argumente juridike, historike dhe ekonomike.

Ndërkaq, Emin Haxhi bëri të ditur se është propozuar që Tuzit t’i takojnë 15 për qind e pasurisë së përbashkët, duke nënvizuar se synimi është arritja e një zgjidhjeje të drejtë dhe të qëndrueshme.

Këshilltarët miratuan edhe Agrobuxhetin për vitin 2026, i cili përfshin mbështetje për pothuajse të gjitha degët e bujqësisë.

Kryetari Gjelaj bëri të ditur se synohet që nga viti i ardhshëm në program të përfshihet edhe sektori i peshkatarisë.

Në seancë u miratuan edhe ndryshimet në statutet e katër ndërmarrjeve komunale për harmonizimin me Ligjin e ri për Shoqëritë Tregtare, vendimet që lidhen me procedurat e legalizimit të objekteve pa leje, blerjen e pronave për projekte me interes publik, vendosjen e servituteve dhe dhënien në shfrytëzim të një automjeti për Bashkësinë Lokale Triesh.

Po ashtu, Kuvendi miratoi ndryshimet në kriteret për ndarjen e bursave studentore, me ç’rast nota mesatare për përfitimin e bursës u ul nga 9.00 në 8.50, me qëllim që mbështetja financiare të përfshijë një numër më të madh studentësh.

Në vazhdim u shqyrtuan raportet për zbatimin e Planit Lokal të Veprimit për të Rinjtë, shpërndarjen e fondeve për organizatat joqeveritare, si dhe u miratua fillimi i hartimit të Planit Lokal për Menaxhimin e Mbeturinave Ndërtimore për periudhën 2026–2029.

Këshilltarët shqyrtuan dhe miratuan edhe raportet vjetore të ndërmarrjeve komunale “Komunale”, “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”, “Tregu”, Organizatës Turistike të Tuzit, si dhe raportet financiare të KF “Deçiq” dhe KB “Deçiq”.

Në fund të seancës u miratuan edhe vendimi për kompensimin e sanimit urban, Programi i objekteve të përkohshme për periudhën 2026–2031 dhe raporti mbi realizimin e planeve të biznesit të përfituesve të mbështetjes për ndërmarrjet dhe gratë afariste, ku u vlerësua se fondet janë shfrytëzuar sipas destinimit dhe kanë dhënë rezultate pozitive në zhvillimin e sipërmarrjes lokale.

SHARE