Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Qeveria e Malit të Zi ka miratuar Projektligjin për rezervat shtetërore të mallrave, i cili krijon bazën ligjore për ngritjen e rezervave strategjike që do t’i mundësojnë shtetit të reagojë më shpejt në rast të krizave, fatkeqësive natyrore apo çrregullimeve të mëdha në treg.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, tha se rezervat do të sigurojnë furnizimin me produkte bazë dhe do të jenë një mekanizëm i rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit dhe mirëqenies së qytetarëve. Sipas tij, administrata që do të menaxhojë rezervat pritet të formohet deri në fund të këtij viti, ndërsa Qeveria do të miratojë planin trevjeçarë për krijimin dhe plotësimin e tyre.
Gjeloshaj theksoi se, për të garantuar sigurinë ushqimore në situata të jashtëzakonshme, rezervat do të përfshijnë drithëra, mish, qumësht, djathë, sheqer, vaj, kripë dhe ujë.
Ai nënvizoi se Mali i Zi është shumë i varur nga importi për produkte si drithërat, sheqeri, vaji dhe kripa, ndërsa vetë-mjaftueshmëri të plotë ka vetëm për ujin dhe patatet, ndërsa pjesërisht për qumështin. Për këtë arsye, disponueshmëria e rezervave konsiderohet me rëndësi të veçantë për sigurinë e vendit.
Projektligji parashikon gjithashtu krijimin e rezervave të pajisjeve mjekësore dhe materialeve të nevojshme për spitalet dhe mbrojtjen e popullsisë, duke pasur parasysh shtimin e fatkeqësive natyrore dhe kërcënimeve globale.
Ministri Gjeloshaj theksoi se ligji është harmonizuar me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe do t’i japë shtetit mundësinë të ndërhyjë në treg duke ofruar produkte nga rezervat me çmime më të ulëta, në vend të masave administrative si kufizimi i çmimeve.
Ai vlerësoi se bëhet fjalë për një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sigurisë ushqimore dhe rritjes së gatishmërisë së shtetit për t’u përballur me situata emergjente.










