DELEGACIONI I BE-së: UNITETI I TË GJITHË AKTORËVE POLITIKË NË KËTË MOMENT KYÇ ËSHTË MË I RËNDËSISHËM SE KURRË

Foto: Ilustrim

Përfaqësuesit e shumicës parlamentare dhe të opozitës, në një atmosferë të hapur dhe konstruktive gjatë takimit të mbajtur në ambientet e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, me mikpritës ambasadorin Johan Satler, shprehën gatishmërinë që përmes një procesi politik gjithëpërfshirës të punojnë për gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta në fushat me rëndësi të veçantë për përmbushjen e detyrimeve të Malit të Zi në kuadër të agjendës së tij për integrimin në BE.

Siç thuhet në njoftim, ata inkurajojnë të gjithë aktorët politikë që, me mirëbesim, të punojnë për gjetjen e zgjidhjeve të bazuara në konsensus për çështjet që lidhen me detyrimet e Malit të Zi në kuadër të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

“Në këtë moment kyç, progresi i vazhdueshëm, mbështetja e shoqërisë dhe uniteti i të gjithë aktorëve politikë janë më të rëndësishëm se kurrë. Çdo vonesë në zbatimin e reformave thelbësore rrezikon të dëmtojë vrullin e Malit të Zi në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, theksohet në komunikatën e Delegacionit të BE-së në Mal të Zi.

Delegacioni i Bashkimit Evropian shtoi gjithashtu se nuk ka marrë pjesë në hartimin e platformës së opozitës.

SHARE