OPOZITA PROPOZON PLATFORMË PËR TEJKALIMIN E KRIZËS PARLAMENTARE

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Partitë opozitare në Kuvendin e Malit të Zi kanë prezantuar një platformë për tejkalimin e krizës parlamentare, duke theksuar se vendi ndodhet në një fazë vendimtare të procesit të integrimit evropian dhe se nevojitet stabilitet politik, funksionim institucional dhe konsensus i gjerë shoqëror.

Platforma parashikon që një sërë emërimesh të rëndësishme në institucione shtetërore të realizohen vetëm me marrëveshje mes pushtetit dhe opozitës.

Kjo përfshin zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, anëtarëve të Këshillit të RTMZ, si dhe përfaqësuesve në institucione të tjera të pavarura. Opozita kërkon gjithashtu rishikimin e dispozitave të diskutueshme ligjore në fushën e sigurisë, duke vlerësuar se ato mund të cenojnë të drejtat e njeriut, privatësinë dhe liritë politike.

Sipas propozimit, duhet të kryhet edhe monitorimi i zbatimit të deritanishëm të këtyre ligjeve për të garantuar përputhshmërinë e tyre me standardet evropiane.

Një pjesë e rëndësishme e platformës lidhet me mbrojtjen e legjislacionit zgjedhor nga ndryshimet e njëanshme.

Opozita kërkon që pa konsensus të mos mund të ndryshohen ligjet që rregullojnë listat zgjedhore, financimin e partive politike, zgjedhjen e deputetëve, regjistrat e vendbanimit, letërnjoftimet, shtetësinë dhe partitë politike.

Dokumenti parashikon edhe krijimin e mekanizmave shtesë të kontrollit për të parandaluar keqpërdorimin e burimeve shtetërore para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2027.

Këto masa do të fokusoheshin në mbikëqyrjen e punësimeve në sektorin publik, ndihmave sociale, subvencioneve dhe përdorimit të rezervave buxhetore, me synimin për të garantuar zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike.

Platforma është nënshkruar nga lideri i PDS-së Danijell Zhivkoviq, Damir Shehoviq në emër të Aleancës Evropiane, Adrijan Vuksanoviq nga Iniciativa Qytetare Kroate dhe Mehmed Zenka nga Unioni Demokratik i Shqiptarëve.

SHARE