Foto: Ilustrim
Grupi i Punës i Këshillit të Bashkimit Evropian për Zgjerimin do të diskutojë këtë javë mundësinë e mbylljes së katër kapitujve negociues me Malin e Zi, në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE.
Përveç kapitujve 2 dhe 28, që prej kohësh janë në shqyrtim, në rend dite janë përfshirë edhe kapitulli 8 (Konkurrenca) dhe kapitulli 29 (Unioni Doganor).
Sipas dokumenteve të Këshillit të BE-së, shtetet anëtare do të shqyrtojnë draftet e qëndrimeve të përbashkëta për këta kapituj, një fazë teknike që i paraprin vendimit eventual për mbylljen e përkohshme të tyre.
Kapitulli 2 lidhet me lirinë e lëvizjes së punëtorëve, ndërsa kapitulli 28 trajton mbrojtjen e konsumatorëve dhe shëndetin. Ndërkohë, kapitulli 8 fokusohet në rregullat e konkurrencës, kurse kapitulli 29 në funksionimin e Unionit Doganor.
Konferenca Ndërqeveritare ku pritej të mbylleshin kapitujt 2 dhe 28 ishte planifikuar për fundin e majit, por sipas informacioneve jozyrtare mund të mbahet gjatë muajit qershor.
Deri tani, Mali i Zi ka hapur të 33 kapitujt negociues me Bashkimin Evropian dhe ka mbyllur përkohësisht 14 prej tyre.
Kapitulli i fundit i mbyllur ishte ai 21, që lidhet me rrjetet transevropiane, gjatë konferencës ndërqeveritare të mbajtur në mars të këtij viti.
Procesi i negociatave të Malit të Zi me BE-në ka nisur në vitin 2012 dhe vendi vazhdon të konsiderohet kandidati më i avancuar në procesin e zgjerimit.
Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi së fundmi se zgjerimi i Bashkimit Evropian në vitet e ardhshme është realist dhe se Mali i Zi mund të bëhet anëtari i ardhshëm i Unionit.
Edhe zëdhënësi i Komisionit Evropian, Gijom Mersije, ka vlerësuar se Mali i Zi mbetet vendi më i avancuar në procesin e anëtarësimit, duke theksuar se zgjerimi i BE-së bazohet në meritë dhe në përmbushjen e reformave të nevojshme nga secili shtet kandidat.










