Foto: Europarl.europa.eu/Gabor Kovacs
Komiteti për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian (AFET) ka miratuar raportin për Malin e Zi të hartuar nga raportuesi Marjan Sharec, me 56 vota pro, 7 kundër dhe 10 abstenime.
Në raport theksohet se Mali i Zi po shënon progres të qëndrueshëm në procesin e reformave të lidhura me integrimin në Bashkimin Evropian dhe vlerësohet ambicia e vendit për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2026, si dhe synimi politik për t’u bërë shteti i 28-të anëtar i BE-së deri në vitin 2028.
Eurodeputetët e vlerësojnë mbështetjen e gjerë të qytetarëve malazezë për rrugën evropiane dhe i bëjnë thirrje të gjitha partive politike që të ruajnë stabilitetin dhe fokusin në procesin e integrimit, duke mos lejuar që mosmarrëveshjet politike të brendshme apo çështjet partiake të ngadalësojnë reformat kyçe.
Raporti thekson se, megjithëse ka përparim të dukshëm, veçanërisht në disa fusha teknike të negociatave, sfidat kryesore mbeten në sundimin e ligjit, reformën në drejtësi, administratën publike dhe menaxhimin e financave publike.
Në këtë kontekst, një shqetësim i veçantë shprehet për vonesat e vazhdueshme në emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe në funksionimin e plotë të institucioneve të rëndësishme të sistemit të drejtësisë, përfshirë Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial.
Parlamenti Evropian kërkon që emërimet në sistemin e drejtësisë të bazohen vetëm në meritë, transparencë dhe procedura të pavarura nga ndikimi politik, duke theksuar se funksionimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese është thelbësor për mbrojtjen e shtetit të së drejtës dhe procesin e integrimit evropian.
Gjithashtu, raporti shpreh shqetësim për disa ndryshime ligjore në fushën e punëve të brendshme dhe të Agjencisë për Siguri Kombëtare, të cilat janë miratuar pavarësisht kritikave nga opozita dhe shoqëria civile.
Në këtë drejtim, kërkohet më shumë transparencë, konsultim gjithëpërfshirës dhe bashkëpunim real me të gjitha palët e interesuara, përfshirë opozitën, ekspertët juridikë dhe Komisionin Evropian, sidomos kur bëhet fjalë për ligje që lidhen drejtpërdrejt me procesin e integrimit.
Një pjesë e rëndësishme e raportit i kushtohet luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku kërkohen rezultate konkrete dhe vendime të formës së prerë në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.
Po ashtu, theksohet nevoja për përmirësim në lirinë e mediave dhe forcimin e rolit të shoqërisë civile.
Në aspektin e politikës së jashtme, raporti vlerëson pozitivisht faktin që Mali i Zi është plotësisht i harmonizuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, përfshirë edhe zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë.
Në fund, raporti ngre shqetësime serioze për ndërhyrjet e huaja, fushatat e dezinformimit dhe kërcënimet hibride që, sipas eurodeputetëve, synojnë të minojnë institucionet demokratike të vendit, kohezionin shoqëror dhe orientimin e tij strategjik drejt Bashkimit Evropian, duke përmendur ndikime nga aktorë të ndryshëm të jashtëm.
Raporti pritet të kalojë në votim final në seancën plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg gjatë muajit qershor.









