KE MIRËPRET DISKUTIMIN PËR AFRIMIN E BALLKANIT DHE UKRAINËS ME BE-në

Komisioni Evropian konfirmoi se ka pranuar letrën e kancelarit gjerman, Friedrich Merz, përmes së cilës ai propozon që Ukrainës t’i jepet statusi i anëtares së asociuar, ndërsa vendeve të Ballkanit Perëndimor statusi i vëzhguesit.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, tha se institucioni që ai përfaqëson e mirëpret faktin që ky diskutim po zhvillohet mes vendeve anëtare dhe inkurajon vazhdimin e debatit në nivel të udhëheqësve të BE-së.

“Kjo tregon se ekziston një përkushtim i fuqishëm i vendeve anëtare që zgjerimi të bëhet realitet sa më shpejt. Është gjithnjë e më e qartë se zgjerimi është investim gjeostrategjik në prosperitetin, paqen dhe sigurinë tonë. Anëtarësimi i Ukrainës në Bashkimin Evropian është po ashtu i lidhur në mënyrë thelbësore me sigurinë e bllokut tonë”, tha Mercier në një konferencë për media.

Ai shtoi se është po aq e rëndësishme arritja e synimit për ta kompletuar BE-në me të gjitha vendet kandidate, të cilat prej shumë vjetësh po punojnë drejt anëtarësimit.

“Të gjitha zgjidhjet inovative duhet të udhëhiqen nga një proces i bazuar në merita. Duke parë përpara, duhet të sigurohemi që qasja jonë ndaj zgjerimit të jetë e përshtatshme për qëllimin që synon”, tha zëdhënësi Mercier.

Prandaj, sipas tij, Komisioni Evropian do të vazhdojë të bashkëpunojë në mënyrë aktive me vendet anëtare dhe me vendet kandidate, për të gjetur zgjidhjet më të mira që do ta bënin Bashkimin Evropian më të fortë dhe më të sigurt.

SHARE