GJELOSHAJ: ASKUSH NUK TENTOI TË HEQË FLAMURIN SHTETËROR NË TUZ

Foto: Tv Boin

Lideri i Forumit Shqiptar Nik Gjeloshaj ka reaguar publikisht lidhur me situatën e krijuar në Tuz, duke akuzuar një grup të vogël, të cilin e cilësoi si me identitet të humbur, për përpjekje për të manipuluar opinionin publik përmes, sipas tij, pretendimeve të pavërteta.

Në deklaratën e tij, Gjeloshaj thekson se një grup i vogël, të cilët ai i përshkruan si adhurues të ngjyrave “blu e bardhë” dhe yllit të kuq pesëcepësh në manifestin e tyre politik, kanë tentuar të përhapin narrativën se mbrëmjen e kaluar dikush ka dashur të heqë flamurin shtetëror të Malit të Zi në Tuz.

Sipas tij, e vetmja e vërtetë është  se një grup i vogël ka tentuar të pengojë që, ashtu si më 21 maj 2006, flamuri shtetëror i Malit të Zi dhe flamuri kombëtar shqiptar të qëndrojnë njëri pranë tjetrit. Ai rikujton se këta dy flamuj kanë qëndruar së bashku jo vetëm më 21 maj 2006, por edhe çdo 21 maj që nga momenti kur Tuzi ka fituar statusin e komunës.

Gjeloshaj thekson se bashkëvendosja e flamurit shtetëror të Malit të Zi dhe atij kombëtar shqiptar nuk ka rrezikuar askënd as atëherë dhe as sot. Përkundrazi, sipas tij, kjo përfaqëson simbolin e Malit të Zi modern, një shtet i ndërtuar mbi respektin e ndërsjellë, bashkëjetesën dhe lirinë për të ruajtur si simbolet shtetërore ashtu edhe ato kombëtare.

Ai shton se ata që e kundërshtojnë praninë e flamurit shqiptar pranë flamurit shtetëror të Malit të Zi, në thelb kanë problem me vetë idenë e një Mali të Zi qytetar dhe multietnik. Sipas Gjeloshajt, thelbi i reagimeve të tilla qëndron në një krizë të identitetit dhe në nevojën për t’u dëshmuar si “malazezë më të mëdhenj” se të tjerët.

Në fund të deklaratës së tij, Gjeloshaj nënvizon se respekti për veten dhe për rrënjët e veta është kusht thelbësor për të respektuar sinqerisht edhe të tjerët, duke shtuar se këtë, sipas tij, e dinë shumë mirë edhe ata të cilëve sot përpiqen t’u bëjnë qejfin.

SHARE