SPAJIQ: NGA E HËNA BLERJE E TË GJITHA TEPRICAVE TË QUMËSHTIT

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, ka njoftuar se është gjetur zgjidhje për problemin e tepricave të qumështit te prodhuesit vendorë dhe se nga e hëna do të nisë blerja e të gjitha sasive të tepërta.

Sipas tij, ky është një problem akut për fermerët, i cili tashmë është zgjidhur.

“Problemi akut i prodhuesve tanë bujqësorë është zgjidhur – nga e hëna fillon blerja e të gjitha tepricave të qumështit”, ka shkruar Spajiq në platformën X.

Ai theksoi se është arritur marrëveshje edhe me zinxhirët tregtarë, gjë që garanton vazhdimësinë e blerjes dhe sigurinë për prodhuesit vendas.

“Marrëveshja me zinxhirët tregtarë garanton siguri për prodhuesit dhe vazhdim të pandërprerë të blerjes”, ka deklaruar kryeministri.

Spajiq paralajmëroi gjithashtu masa të reja për stabilizimin e tregut, të cilat do të ndikojnë edhe në uljen e çmimeve për qytetarët.

“Sjellim aksion për qytetarët, nga e hëna një litër jogurt do të kushtojë 0.99 euro, ndërsa paketa prej 1.5 litrash do të jetë 1.49 euro”, tha ai.

Sipas tij, qëllimi i këtyre masave është njëkohësisht mbështetja e prodhuesve vendas dhe ulja e kostove të jetesës për qytetarët.

SHARE