Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Në kuadër të Forumit “Pyet ministrin!”, të organizuar për Ditën e Studentëve si pjesë e projektit të financuar nga BE-ja EU4ME, disa ministra të Qeverisë së Malit të Zi diskutuan me rreth 60 studentë nga të gjitha universitetet mbi rrugën e Malit të Zi drejt integrimit evropian, sfidat dhe mundësitë e ardhshme.
Ministrja për Çështje Evropiane, Maida Gorçeviq, prezantoi planin e Qeverisë për të mbyllur të gjithë kapitujt e negociatave deri në fund të vitit 2026 dhe për ta bërë Malin e Zi anëtar të plotë të BE-së deri në vitin 2028. Ajo theksoi rëndësinë e përfshirjes aktive të të rinjve në proceset shoqërore dhe përfitimet që sjell anëtarësimi në BE, si lëvizja e lirë dhe mundësitë për punësim dhe studime.
Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ervin Ibrahimoviq, foli për rëndësinë e politikës së jashtme dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, duke theksuar se e ardhmja duhet të ndërtohet mbi bashkëpunim dhe besim. Ai nënvizoi se anëtarësimi në BE është i rëndësishëm për gjeneratën e të rinjve që po formësojnë të ardhmen e vendit.
Zv.kryeministri dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, diskutoi me studentët për mundësitë e nisjes së bizneseve të tyre dhe të start-up-eve, si dhe për ndryshimet që do të sjellë anëtarësimi në BE në këtë fushë. Studentët shprehën gjithashtu interes për reformat që po zbaton Mali i Zi për të u bërë një ekonomi më konkurruese brenda Bashkimit Evropian, si dhe për mënyrën se si Qeveria planifikon të mbajë të rinjtë profesionistë në këtë proces.
“Forcimi i konkurrueshmërisë së ekonomisë vendase përbën një nga kushtet kyçe për rritje të qëndrueshme ekonomike, rritje të punësimit dhe përmirësim të stabilitetit të përgjithshëm ekonomik të Malit të Zi”, theksoi Gjeloshaj.
Ministrja e Kulturës dhe Medias, Tamara Vujoviq, foli për lidhjen mes kulturës, ekonomisë dhe integrimeve evropiane, si dhe për përmirësimin e kushteve për të rinjtë në këto fusha, duke përfshirë edhe rritjen e edukimit mediatik.
Ministrja e Turizmit, Simonida Kordiq, theksoi rëndësinë e lidhjeve ajrore dhe ndikimin e tyre në turizëm, si dhe nevojën për raport të mirë mes çmimit dhe cilësisë për tërheqjen e turistëve, duke e parë këtë si një mundësi për zhvillim më të madh të sektorit turistik.
Në fund, u theksua se studentët shprehën interes dhe gatishmëri për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për të kontribuar në zhvillimin e vendit në rrugën drejt integrimit evropian.










