NËNSHKRUHET KONTRATA ME VLERË 28 MILIONË EURO PËR PËRMIRËSIMIN E INFRASTRUKTURËS RRUGORE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministrja e Punëve Publike, Majda Axhoviq, ka nënshkruar sot në Villa Goricë me kryetarët e komunave në Mal të Zi një kontratë për realizimin e projekteve infrastrukturore me vlerë 28 milionë euro, me qëllim përmirësimin e lidhjes ndërmjet komunave, zhvillimin e balancuar rajonal dhe rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve.

Me nënshkrimin e kësaj kontrate, sipas autoriteteve, fillon realizimi i projekteve në total prej 28 milionë eurosh, të cilat pritet të përmirësojnë ndjeshëm lidhjen ndërkomunale dhe të kontribuojnë në zhvillimin e barabartë rajonal.

Axhoviq theksoi se investimet në infrastrukturën rrugore janë ndër prioritetet kryesore të qeverisë, si një parakusht për rritje ekonomike dhe përmirësim të jetës së qytetarëve.

Ajo shtoi se këto projekte tregojnë angazhimin për rezultate konkrete në terren dhe jo vetëm deklarata.

Në takim, ku mori pjesë edhe ministri i Financave Novica Vukoviq, u theksua se rrugët nuk janë vetëm projekte infrastrukturore, por faktor kyç për lidhje më të mirë ndërmjet komunave, lëvizje më të sigurt dhe më të shpejtë, si dhe zhvillim të ekonomisë dhe komuniteteve lokale.

Ministrja u zotua se qeveria do të vazhdojë të punojë për zhvillim të barabartë në të gjitha rajonet, duke theksuar se nuk do të ketë komuna të lëna pas dhe se të gjithë qytetarët duhet të kenë kushte të barabarta për jetë dhe punë.

Në fund, Axhoviq theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe zbatimit të shpejtë të projekteve, në mënyrë që rezultatet të jenë të dukshme për qytetarët në një periudhë të shkurtër.

SHARE