MBRETËRIA E BASHKUAR MBLEDH MBI 40 SHTETE: KËRKOHET RIHAPJA E NGUSHTICËS SË HORMUZIT

Takimi online i organizuar nga Mbretëria e Bashkuar lidhur me krizën në Ngushticën e Hormuzit përfundoi me një qëndrim të qartë të përbashkët: përfaqësuesit nga mbi 40 shtete kërkuan rihapjen e menjëhershme dhe pa kushte të këtij korridori kyç për tregtinë botërore.

U theksua se Ngushtica e Hormuzit mbetet një arterie strategjike për ekonominë globale dhe çdo ndërprerje në këtë rrugë ka ndikim të drejtpërdrejtë në furnizimet ndërkombëtare me naftë, gaz natyror të lëngshëm dhe mallra të tjera jetike. Sipas pjesëmarrësve, respektimi i lirisë së lundrimit dhe i së drejtës ndërkombëtare detare është thelbësor për stabilitetin global.

Në takim mori pjesë edhe ministri për Punë të Jashtme dhe Diasporë i Kosovës, Glauk Konjufca, i cili, përmes një postimi në Facebook, theksoi se ndërprerjet në rrugë të tilla jetike ndikojnë jo vetëm rajonalisht, por edhe në ekonomitë globale, përfshirë Kosovën. Sipas tij, këto zhvillime prekin zinxhirët globalë të furnizimit, çmimet e energjisë dhe stabilitetin ekonomik, duke e bërë veprimin ndërkombëtar të domosdoshëm për funksionimin normal të këtyre korridoreve strategjike.

Ngushtica e Hormuzit raportohet të jetë pothuajse e bllokuar që nga 28 shkurti, në kontekstin e tensioneve të përshkallëzuara midis Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit, duke ndikuar në furnizimet globale me mallra bazë, përfshirë naftën, gazin natyror dhe plehrat kimike.

Në takim u diskutua edhe mundësia e shoqërimit të cisternave të naftës nga anijet ushtarake për arsye sigurie.

Presidenti francez Emmanuel Macron u shpreh kundër përdorimit të forcës, duke theksuar se zgjidhja duhet të vijë përmes koordinimit me Iranin dhe negociatave pas një armëpushimi të mundshëm.

Ndërkohë, Italia propozoi krijimin e një “korridori humanitar” për transportin e mallrave jetike, për të shmangur një krizë të mundshme ushqimore, veçanërisht në vendet afrikane.

SHARE