Shqipëria konsiderohet si një nga vendet ballkanike me ecurinë më të mirë drejt Bashkimit Evropian, por provimi i vërtetë mbetet sundimi i ligjit dhe përballja me korrupsionin, sipas komisioneres për Zgjerim, Marta Kos.
Ajo u pyet nëse ishte e shqetësuar për situatën aktuale në Shqipëri, përfshirë hetimet ndaj ish-zëvendëskryeministres Balluku, dhe për mënyrën se si kryeministri Rama po menaxhon procesin e anëtarësimit, duke dhënë një vlerësim të detajuar.
“Shqipëria ka bërë një punë të shkëlqyer. Ne jemi aktualisht në procesin, nga shtetet anëtare, të kalimit përmes standardeve të ndërmjetme për sundimin e ligjit, dhe duket mirë. Por natyrisht ka disa raste, dhe ju përmendët rastin e Ballukut, të cilin ne po e monitorojmë shumë mirë. SPAK, agjencia kundër korrupsionit në Shqipëri, po bën një punë të shkëlqyer, dhe është normale që të gjenden raste. E rëndësishme është se si reagon vendi ndaj këtyre rasteve, dhe këtë e monitorojmë edhe ne”, shprehet Marta Kos, komisionere për zgjerimin.
Ajo thekson se përtej ligjeve të miratuara, sfida kryesore mbetet ndryshimi i mentalitetit në shoqëri.
Korrupsioni nuk duhet të pranohet më si fenomen normal, dhe ky është një proces që kërkon kohë.
“Një çështje tjetër që lidhet me luftën kundër korrupsionit, e cila është tipike për të gjitha vendet kandidate, është se mund të keni legjislacionin më të mirë për luftimin e korrupsionit, por nëse korrupsioni është i pranuar nga shoqëria, atëherë keni një problem tjetër. Të gjitha vendet kandidate po kalojnë përmes këtij procesi të ndryshimit të mentalitetit ndaj korrupsionit, dhe kjo kërkon kohën e vet”, shpjegon Kos.
Ky qëndrim i Brukselit vjen në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, ndërsa vlerësohet ecuria në procesin e integrimit dhe pritet mbyllja e kapitujve themelorë. Lufta kundër korrupsionit shihet si provë e vërtetë e zbatimit të shtetit të së drejtës dhe e përkushtimit të institucioneve ndaj standardeve evropiane.









