Foto: Ilustrim
Që nga e hëna, çmimet e 53 llojeve të cigareve të importuara nga Japan Tobacco (JTI) dhe Philip Morris janë rritur nga 20 deri në 50 centë, duke e bërë paketën më të lirë të kushtojë tre euro.
Rritja e çmimeve pason vendimin e qeverisë për të ngritur akcizën mbi produktet e duhanit.
British American Tobacco (BAT) ende nuk ka rritur çmimet e veta, ku paketat e saj mbeten nën tre euro.
Çmimet e reja variojnë nga 3 deri në 6 euro, varësisht nga marka dhe lloji i cigareve, me rritjen minimale prej 20 centë për paketë.
Ligji për akcizat parashikon se akciza specifike do të rritet gradualisht: nga 1 janari në 58,85 euro për mijë cigare, nga 1 korriku në 64,74 euro dhe më 1 korrik 2028 në 94,78 euro.
Ministria e Financave shpjegon se qëllimi i rritjes së akcizave është ulja e konsumit të cigareve, veçanërisht tek të rinjtë dhe grupet me të ardhura më të ulëta.
Analizat e mëparshme tregojnë se rritja e çmimeve mund të sjellë përfitime për buxhetin dhe të ulë numrin e duhanpirësve, megjithatë rritjet e shpejta mund të favorizojnë tregun e zi, siç ndodhi në 2017, kur një rritje prej 50 centësh çoi në rënien e të ardhurave nga akcizat për rreth 17 milionë euro.









