

Foto: Ilustrim
Sezona e gripit në Mal të Zi ka nisur këtë vit tre–katër javë më herët se zakonisht, duke rritur ndjeshëm ngarkesën në ambulancat e kujdesit primar shëndetësor.
Në departamentin e pediatrisë të Qendrës Shëndetësore të Podgoricës, gjatë javës së fundit janë kryer mbi 7.000 vizita për fëmijë, njoftoi për RTMZ dr. Anja Gjuroviq, specialist pedijatre.
Simptomat më të shpeshta tek fëmijët janë temperatura e lartë, kollë, hundë e bllokuar, dhimbje fyti, lodhje e theksuar, ndërsa tek fëmijët më të vegjël mund të shfaqen irritim, humbje oreksi dhe të vjella të herëpashershme.
Gjuroviq këshillon që fëmijët të qëndrojnë në pushim, të marrin lëngje të mjaftueshme, ushqim të larmishëm dhe të përdoren antipiretikë të përshtatur për moshën.
Nëse temperatura vazhdon mbi 48 orë, shenjat përkeqësohen, shfaqet vështirësi në frymëmarrje ose lodhje e madhe, prindërit duhet të kontaktojnë mjekun.
Ndër simptomat e tjera të zakonshme janë dhimbjet në muskuj dhe nyje, dhimbje koke, kollë e thatë dhe sekrecione nga hunda. Disa fëmijë paraqesin edhe simptoma gastrointestinale.
Gjuroviq thekson rëndësinë e masave parandaluese: ajrosje e rregullt e ambienteve, shmangia e kontakteve të afërta me persona me simptoma të infeksioneve respiratore, shmangia e grumbullimeve të mëdha njerëzish, larja e duarve dhe shmangia e prekjes së syve, hundës dhe gojës me duar të palara.
Nga 15 deri më 19 dhjetor, gjatë ditëve të javës, janë kryer 6.564 vizita, ndërsa vetëm gjatë fundjavës, në kuadër të shërbimit emergjent, janë kryer 591 vizita.
Ky volum kërkoi organizim të jashtëzakonshëm dhe angazhim të shtuar të stafit mjekësor, jashtë orarit të rregullt, duke siguruar kujdes të vazhdueshëm për fëmijët. Vakcinimi kundër gripit sezonal rekomandohet, sidomos për grupet me rrezik, pasi zvogëlon gjasat për simptoma të rënda, komplikime dhe hospitalizime, si dhe ndihmon në parandalimin e përhapjes së infeksionit brenda familjes dhe komunitetit.








