KQZ-ja NUK E CERTIFIKON LISTËN SERBE PËR ZGJEDHJET E PARAKOHSHME PARLAMENTARE TË 28 DHJETORIT

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës nuk e ka certifikuar Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve të Kosovës – për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Rekomandimi për certifikimin e Listës Serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit, i mori vetëm 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime gjatë një mbledhjeje të KQZ-së të martën pasdite.

Vendimi u kritikua nga Serbia dhe nga Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Kosovë, i cili tha se është “i zhgënjyer dhe i shqetësuar thellësisht”.

Lista Serbe mund të ankohet ndaj këtij vendimi në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

OSBE-ja theksoi se është “seriozisht e shqetësuar për rritjen e polarizimit politik brenda KQZ-së, i cili reflektohet në sjelljen gjatë votimit që duket se udhëhiqet nga interesa partiake, e jo nga kritere ligjore dhe parime demokratike”.

“Sjellje e tillë minon paanshmërinë dhe besueshmërinë që janë thelbësore për një organ të pavarur të administrimit të zgjedhjeve”, tha ajo.

SHARE