1000 ALPINISTË U BLLOKUAN NË EVEREST / STUHI E MADHE BORE NË TIBET, OPERACION SHPËTIMI

Qindra alpinistë të bllokuar nga një stuhi bore pranë faqes lindore të malit Everest në Tibet janë nxjerrë në vend të sigurt nga ekipet e shpëtimit, raportoi media shtetërore kineze të dielën, ndërsa bora dhe reshjet jashtëzakonisht të dendura goditën Himalajet.

Që nga e diela, 350 alpinistë kishin mbërritur në qytezën e vogël Qudang, ndërsa kontakti me mbi 200 alpinistë të mbetur ishte vendosur, raportoi CCTV.

Qindra fshatarë vendas dhe ekipe shpëtimi u angazhuan për të ndihmuar në largimin e borës që bllokoi aksesin në zonën ku gati 1,000 njerëz ishin bllokuar, sipas një raporti të mëparshëm.

Alpinistët e mbetur do të mbërrijnë në Qudang në faza, nën udhëheqjen dhe ndihmën e ekipeve të shpëtimit të organizuara nga qeveria lokale. Reshjet e dëborës në luginën që ndodhet në një lartësi mesatare prej 4,200

metrash filluan të premten në mbrëmje dhe vazhduan gjatë gjithë të shtunës. Gjithçka ndodhi në Luginën e Karmës, e cila është një pjesë relativisht e paprekur e rajonit të Everestit.

Ndryshe nga faqja veriore e majës, ajo ka bimësi të harlisur dhe pyje alpine të paprekura, të ushqyera nga ujërat e shkrira të akullnajës Kangshung, në rrëzë të malit më të lartë në botë. Nuk ishte e qartë nëse alpinistët pranë faqes veriore ishin prekur apo jo nga stuhia e borës. Faqja veriore, për shkak të aksesit të lehtë me rrugë të shtruara, tërheq rregullisht një numër të madh turistësh.

Tetori është sezoni kulmor, kur qielli zakonisht është kthjellët në fund të sezonit të musoneve indiane. Shitja e biletave dhe hyrja në të gjithë Zonën e Everestit u pezulluan që nga e shtuna vonë.

Në jug të Tibetit, në Nepal, shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan rrëshqitje toke dhe përmbytje të menjëhershme që bllokuan rrugët, rrëzuan ura dhe shkaktuan të paktën 47 viktima që nga e premtja.

Tridhjetë e pesë persona humbën jetën në rrëshqitje toke të ndara në distriktin lindor Ilam, pranë kufirit me Indinë.

Nëntë persona u raportuan të zhdukur pasi u rrëmbyen nga ujërat e përmbytjeve, ndërsa tre të tjerë vdiqën nga goditjet e rrufeve.

SHARE