MBLEDHJA E KOMITETIT PARLAMENTAR PËR STABILIZIM-ASOCIIM: DISKUTOHET RRUGA E MALIT TË ZI DREJT BE-së

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Në sallën plenare të Kuvendit të Malit të Zi ka nisur sot mbledhja e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Malit të Zi.

Kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq, theksoi përkushtimin e fuqishëm të Malit të Zi ndaj integrimit evropian dhe shprehu pritshmëritë që të gjitha kapitujt e negociatave me BE-në të mbyllen deri në fund të vitit të ardhshëm, në mënyrë që vendi të anëtarësohet në BE në vitin 2028.

Ai theksoi gjithashtu mbështetjen e madhe qytetare për këtë synim.

Deputeti Dejan Gjuroviq, kryesues i delegacionit të Malit të Zi, vlerësoi përparimin e bërë përmes miratimit të ligjeve të rëndësishme zgjedhore dhe për një proces më gjithëpërfshirës.

Tomas Vajc, bashkëkryesues i delegacionit të Parlamentit Evropian, u shpreh optimist për përmbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2026, por theksoi sfidat që ende mbeten, si kapitulli për mjedisin dhe emërimet në institucionet kyçe si Gjykata Kushtetuese dhe Banka Qendrore.

Ambasadorja daneze Pernil Daler Kardel, në emër të BE-së, përshëndeti përparimin e Malit të Zi, veçanërisht në forcimin e institucioneve dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke e cilësuar suksesin e Malit të Zi si katalizator për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ambasadori i BE-së në Mal të Zi, Johan Sattler, konfirmoi përparimin e dukshëm që nga tetori i kaluar, duke theksuar që përkushtimi i BE-së për zgjerimin mbetet i pandryshuar.

Ministrja e Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq, prezantoi rezultatet e arritura, përfshirë rritjen e hetimeve dhe aktakuzave ndaj zyrtarëve publikë, konfiskimin e mallrave të paligjshme dhe forcimin e sistemit gjyqësor e policor.

Ajo nënvizoi edhe reformat në legjislacionin zgjedhor dhe të drejtën e punës.

Në fokus të mbledhjes dyditore janë: përshpejtimi i rrugës së integrimit evropian, sundimi i ligjit, vetingu, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformat zgjedhore, bujqësia, zhvillimi rural dhe turizmi i qëndrueshëm.

SHARE