BEOGRADI NË FLAKËT E PROTESTAVE: VUÇIQ PËRBALLET ME PRESIONIN MË TË MADH QYTETAR TË VITEVE TË FUNDIT

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, duket se po e humbet kontrollin ndaj valës së pakënaqësisë popullore që ka përfshirë vendin, ndërsa protestat masive kundër qeverisjes së tij po përshkallëzohen çdo ditë.

Ajo që filloi si një lëvizje studentore, tashmë është shndërruar në një revoltë të gjerë qytetare që sfidon drejtpërdrejt regjimin e tij populist.

Tensionet kulmuan gjatë natës në lagjen Vraçar të Beogradit, ku policia u përlesh me protestuesit, teksa përpiqej t’i shpërndante ata me forcë nga rrugët e bllokuara.

Qytetarët, të vendosur dhe të zemëruar, vazhduan thirrjet për lirimin e të arrestuarve dhe dorëheqjen e qeverisë.

Protestat, që tashmë kanë hyrë në ditën e katërt, nuk janë të përqendruara vetëm në kryeqytet.

Mobilizimi është zgjeruar edhe në qytete të tjera kryesore të vendit, përfshirë Novi Sadin, Nishin dhe Kragujevcin.

Studentë, të rinj dhe qytetarë nga të gjitha shtresat po bllokojnë kryqëzime kryesore, duke përdorur kontejnerë dhe mjete të tjera për të ndalur qarkullimin dhe për të bërë zërin e tyre të dëgjohet.

Në zemër të kësaj lëvizjeje qëndron pakënaqësia e thellë ndaj qeverisë Vuçiq, me akuza serioze për manipulim zgjedhor, shtypje të lirisë së shprehjes dhe arrestime të padrejta të aktivistëve që morën pjesë në protestat e 28 qershorit.

Organizatorët kanë bërë thirrje për mosbindje civile, ndërsa kërkesat për zgjedhje të parakohshme po marrin gjithnjë e më shumë mbështetje.

Sipas burimeve të pavarura, mbi 140,000 qytetarë u mblodhën në Beograd në fundjavë, në një nga demonstratat më të mëdha që nga fillimi i protestave.

Presioni mbi qeverinë është në rritje, ndërsa bashkësia ndërkombëtare ndjek me shqetësim zhvillimet në Serbi.

Në sfondin e një Europe gjithnjë e më të tensionuar, ngjarjet në Serbi sinjalizojnë një moment kritik për të ardhmen politike të vendit dhe për stabilitetin rajonal në Ballkanin Perëndimor.

SHARE