Foto: Investitor.me
Gjatë sezonës verore të turizmit 2025, në Mal të Zi do të zhvillohen kontrolle të shtuara inspektuese në komunat bregdetare dhe qendrat turistike me qëllim luftimin e ekonomisë joformale, punësimit të paligjshëm dhe sigurimin e një ambienti të sigurt për turistët.
Kjo u konkludua në mbledhjen e katërt të Trupit Koordinues për Inspektime, nën kryesimin e nënkryetarit të Qeverisë, Millun Zogoviq.
Gjatë prillit dhe majit janë realizuar gjithsej 10.522 kontrolle inspektuese, përfshirë kontrolle të rregullta, kontrolle me iniciativë dhe kontrolle për verifikimin e përmbushjes së detyrimeve. Janë dorëzuar 163 kërkesa për ndjekje kundërvajtëse, ndërsa shuma totale e gjobave të shqiptuara arrin në 1.052.240 euro.
Përgatitjet për sezonin veror përfshijnë zhvillimin e kontrolleve të përbashkëta në gjashtë qytete bregdetare: Budva, Herceg Novi, Tivat, Kotorr, Tivar dhe Ulqin, në periudhën 29 qershor – 31 gusht.
Në terren do të jenë çdo ditë rreth 80 inspektorë, të ndarë në katër turne, të cilët do të mbikëqyrin ligjshmërinë në fushat e turizmit, tregtisë, shëndetësisë, sigurisë ushqimore dhe punës.
Kontrollet do të fokusohen në ndalimin e punës së zezë, konkurrencës së pandershme, mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, respektimin e ligjeve të tregtisë dhe mbrojtjes së konsumatorit, si dhe kushtet higjieno-sanitare në objekte hotelierike, tregtare dhe të shërbimeve.
Gjithashtu, njësi të inspektoratit do të jenë aktive edhe në qendrat turistike malore si Kollashin, Zhablak, Liqeni i Shkodrës dhe zonat e rafting-ut në veri të vendit.
Zogoviq theksoi se sezoni turistik është me rëndësi strategjike për ekonominë e vendit dhe një provë për organizimin institucional.
Ai vuri në pah se inspektimet e shtuara synojnë të forcojnë ligjshmërinë, të mbrojnë të drejtat e qytetarëve dhe të ruajnë ndershmërinë në treg.